perballja-ndaj-turqise,-dardanet-shprehen-optimiste

Përballja ndaj Turqisë, Dardanet shprehen optimiste

Dardanet shprehen optimiste të matura për ndeshjen kundër Turqisë.

Vashat e Kombëtares A, sot arritën në Turqi dhe u akomoduan në Restortin “EmirHan Hotel” në Magnavat dhe mbajtën stërvitjen para ndeshjes së nesërme kualifikuese për Euro 2021 kundër Turqisë.

Me plotë zell e entuziazëm Dardanet punuan në teknikat dhe taktikat e ndryshme të parashtruara nga ana e përzgjedhëses Afërditë Fazlija.

Në prag të këtij dueli po mbretëron një atmosferë jashtëzakonisht e mirë në radhët e Kombëtares dhe emëruesi i përbashkët i shtabit teknik dhe i futbollisteve është se në ballafaqim me Turqinë do të japin gjithçka nga vetja për një rezultat pozitiv.

Ndonëse në këtë ndeshje vijnë me shumë mungesa të futbollisteve cilësore, kjo nuk do të thotë se Dardanet do të dorëzohen, përkundrazi do të luftojnë për fitore.

“Futemi me disa mungesa të mëdha megjithatë jemi munduar maksimalisht t’i zëvendësojmë ato vajza që na mungojnë. Është normale që është problem, por besoj që në këto 3-4 ditë kemi bërë përgatitje të mirë. Jemi munduar sipas mundësive. Shoh entuziazëm të madh për nesër. Shpresoj në lojë të mirë dhe rezultat pozitiv”, ka thënë selektorja e Kosovës.

Pas trajneres, disa fjalë kanë folur edhe lojtaret e Kosovës. Më poshtë lajmi.net ua përcjell ato.

Blerta Smajli: “Atmosfera është pozitive. Jemi angazhuar 100% dhe kërkojmë fitore”.

Edona Kryeziu: “E dimë se në ndeshjen e parë kemi fituar, por nuk do të jetë e lehtë. Përgatitemi maksimalisht me koncentrimin maksimal. Shpresoj të kthehemi me rezultat pozitiv”.

Erëleta Memeti: “Besoj se të gjithë do të japin maksimumin në këtë lojë dhe do të dalim me fitore”.