hoti-flet-per-gjykaten-speciale-ne-shkup:-kosova-e-gatshme-t’i-respektoje-vendimet-e-drejtesise

Hoti flet për Gjykaten Speciale në Shkup: Kosova e gatshme t’i respektojë vendimet e drejtësisë

Avdullah Hoti ka folur në Shkup për Gjykatën Speciale.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev.

Në këtë konferencë për media, Hoti ka përmendur projektet e rëndësishme ekonomike që pritet të implementohen mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“Kemi dakordim që të lëvizim përpara në disa ide ekonomike, në ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar. Pastaj lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup, që do ta transformojë komplet regjionin sa i përket furnizimit me energji. Më vjen mirë që janë avancuar proceset për autostradën Shkup deri në kufi. Më vjen mirë që ka gatishmëri për fizibilitet për Autostradën Tetovë – Prizren. Bashkëpunimi ekonomik nuk kufizohet vetëm në vlerën e eksportit apo importit. Unë pres që samiti i Sofjes që organizohet nga ju dhe Bullgaria të jetë një sukses për regjionin për t’i konkretizuar disa nisma regjionale. Pres me padurim që të takohemi prapë në Samitin e Sofjes”, ka thënë Hoti në këtë konferencë për media.

Hoti në këtë konferencë ka folur edhe për hapjen e kufirit dhe mundësinë që të vendosen sërish kufizime për testet me COVID-19.

“Të gjitha veprimet për kufirit nuk duhet të shihen si kufizime por si veprime të qeverive për të menaxhuar situatën. Në Kosovë është gjendja pak më e mirë se që ka qenë më herët. Bashkëpunimi është i ngushtë, dhe ajo që po bëjmë është që të marrim parasysh të gjitha protokollet që janë të përgatitura nga OBSH sa i përket masave. Çfarëdo mase që marrim ne ose qeveria në Shkup duhet të kuptohet si masë kundër përhapjes së koronavirusit”, ka thënë ai.

Hoti madje në këtë konferencë për media është pyetur edhe për Specialen, dhe kritikat se Kosova po e pengon punën e saj.

“Besoj që Kosova ka dhënë gjithmonë gatishmëri që të respektojë vendimet e oganeve të drejtësisë. Duhet të nisemi nga parimi që secili që përfshihet në këto procese është i pafajshëm deri sa nuk provohet e kundërta me një vendim të gjykatës. Nuk gjykohet lufta e popullit të Kosovës, dhe duhet të vlejë parimi i prezumimit të pafajësisë. Edhe kur figura të rëndësishme kanë qenë në këto raste të hapura në gjykata, kemi tregu gatishmëri për respektimin e drejtësisë. Duhet ta kemi parasysh që kjo gjykatë është në kuadër të drejtësisë kosovare”, tha ai.