ipk-suspendon-policin-qe-dyshohet-se-mundesoi-vjedhjen-e-arkes-ne-auv

IPK suspendon policin që dyshohet se mundësoi vjedhjen e arkës në AUV

Suspendohet polici që dyshohet se mundësoi vjedhjen e arkës në AUV.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar zyrtarin policor, i cili dyshohet se mundësoi vjedhjen e arkës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IPK’ja ka bërë me dije se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, thuhet në njoftim.

Sipas IPK’së, hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.