edhe-kete-te-diel,-bizneset-ne-mitrovice-do-ta-kene-dite-pushimi

Edhe këtë të diel, bizneset në Mitrovicë do ta kenë ditë pushimi

Bizneset në Mitrovicë do ta kenë ditë pushimi të dielën edhe këtë javë.

Kërkesa e kryesuesve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, që e diela të jetë ditë pune për bizneset në vend, nuk ka marrë ndonjë përgjigje ende nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë Komuna e Mitrovicës, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se bizneset do e kenë ditën e dielë pushim edhe përgjatë kësaj jave.

“Komuna e Mitrovicës njofton të gjitha subjektet afariste që operojnë në këtë qytet se dita e diel do të vazhdojë të jetë ditë pushimi, deri në momentin e konfirmimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal të datës 24.09.2020”, thuhet në postim.

Komuna ka bërë me dije se dita e diel do vazhdojë të jetë ditë pushimi deri sa të merret ndonjë përgjigje nga MTI’ja.

Përgjatë së dielës, sipas njoftimit të komunës, inspektorët do vazhdojnë inspektimin e bizneseve për respektimin e orarit të punës.