grabitje-afer-bankes,-ne-fushe-kosove,-hajnat-ia-marrin-pazarin-ditor-punetorit-te-etc-se

Grabitje afër bankës, në Fushë-Kosovë, hajnat ia marrin pazarin ditor punëtorit të ETC-së

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Fushë Kosovë.

Sot rreth orës 09:00, policia ka marrë informatën për një rast grabitjeje, që ka ndodhur në rrugën “Nënë Tereza”, në Fushë-Kosovë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni specialistë për hetimin e kr’imit me një intensitet të shtuar kanë nisur ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

“Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor, që po zhvillon hetimet, dyshohet se vepra është kryer prej dy personave të dyshuar, të cilët pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash, me shpejtësi me një veturë të dyshuar, janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë rajonale të Prishtinës.

Mësohet se se viktimë ishte një punëtor i ETC-së, i cili derisa po i dërgonte paratë e pazarit ditor në bankën Raiffaisen, në Fushë-Kosovë i janë grabitur ato, raporton indeksonline.

Ende nuk dihet vlera e parave të grabitura, ndërsa policia po merret me hetimin e rastit.

Aktualisht policia e mbështetur edhe nga Prokurori i Shtetit po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit e mundshëm, veturën me të cilën janë larguar si dhe vendndodhjen e tyre.