merkel:-gjermania-eshte-afer-humbjes-se-kontrollit-ndaj-koronavirusit

Merkel: Gjermania është afër humbjes së kontrollit ndaj koronavirusit

Merkel e pranon se Gjermania është afër humbjes së kontrollit ndaj koronavirusit.

Angela Merkel ka paralajmëruar se Gjermania është shumë pranë humbjes së kontrollit ndaj koronavirusit.

Ajo iu tha kolegëve të saj nga partia kristian demokrate këtë mëngjes se situata është alarmante. Në takimin e CDU’së, ku edhe u vendos që të shtyhet kongresi i partisë pikërisht për shkak të krizës së covidit, kancelarja paralajmëroi për muaj shumë të rëndësishëm përpara.

Të premten, ajo do të mbajë një takim me liderët e 16 landeve ku pritet edhe të bien dakord për kufizime më të ashpra në shkallë kombëtare krahasuar me ato që janë në fuqi.

Merkel ndërkohë e shfrytëzoi podcastin e saj të përjavshëm, në fundjavë, për të insistuar sërish se njerëzit nuk janë të pafuqishëm për të kontrolluar virusin dhe u bëri apel atyre të reduktonin kontaktet pasi kjo ishte masa më efikase për ta luftuar atë.

Jens Spahn, ministri i shëndetësisë që është në karantinë pasi rezultoi pozitiv, në një video mesazh, i bëri apel gjermanëve të mos besojnë ata që po përpiqen të minimizojnë ashpërsinë e virusit duke shtuar se sistemi shëndetësor i vendit ishte në rrezik nëse numri i rasteve të reja nuk do të mbahej nën kontroll.

Autoritetet në Berlin ndërkohë kanë thënë se ata nuk po munden më të ndjekin dhe gjurmojnë kontaktet e të infektuarve për shkak të mungesës së burimeve dhe se do të bazoheshin tek përgjegjësia e vetë të infektuarve për tu vendosur në izolim dhe për të kontaktuar njerëzit me të cilët kanë qenë në kontakt.

Ad

You might also like