kryediplomati-shqiptar:-liberalizimi-i-vizave-per-kosoven-eshte-nje-proces-i-stervonuar-nga-be

Kryediplomati shqiptar: Liberalizimi i vizave për Kosovën është një proces i stërvonuar nga BE

Cakaj thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është një proces i stërvonuar nga BE.

Ministri i Shqipërisë, për Punë të Jashtme dhe Evropë, Gent Cakaj, ka treguar se e ka shtjelluar si problem çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, në debatin virtual të diskutimit me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor.

Cakaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se liberalizimi për kosovarët është proces i stërvonuar dhe Bashkimi Evropian duhet ta mundësojë liberalizimin sa më shpejt.

Postimi i plotë:

Sot, me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, z. Heiko Mass, mora pjesë në Konferencën Ndërkombëtare: “Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor”.

Theksuam, mes tjerash, përkushtimin e fortë të Shqipërisë për të çuar përpara të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është çelësi për t’i siguruar një perspektivë më të ndritshme shoqërisë shqiptare e rinisë në veçanti: zhvillimi i një jete në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, në Shqipëri. Shqipëria, populli i të cilës mbështet në masë më shumë se 90% procesin e integrimit evropian, natyrisht, do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë një ditë anëtare e familjes së vendeve të Evropës së bashkuar.

Patjetër, patjetër: nënvizuam fort se liberalizimi i vizave për Kosovën është një proces i stërvonuar dhe Bashkimi Evropian duhet t’ju mundësojë sa më parë lëvizjen e lirë shtetasve të Republikës më të re të Evropës.