gjykata-denon-me-2-mije-euro-sami-lushtakun-per-kanosjen-e-avokatit-gazmend-halilaj

Gjykata dënon me 2 mijë euro Sami Lushtakun për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

Sami Lushtaku dënohet me 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Për këtë vepër penale, gjyqtarja Alltën Mureli i ka shqiptuar Lushtakut dënimin me 2 mijë euro gjobë.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, në seancë nuk ishte prezent ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Dënimi ndaj Lushtakut vjen pasi që paraprakisht, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 28 tetor 2020, i njëjti e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes.

Këtë veprim të tij, Lushtaku e kishte arsyetuar duke thënë se shkrimet e avokatit Gazmend Halilaj ndaj tij kanë qenë tepër të rënda dhe një gjë të tillë, siç kishte thënë, Halilaj e kishte bërë pasi që ka dashur të rregulloj imazhin e vet në rajonin e Drenicës.

Siç kishte deklaruar Lushtaku, pasi që kishte parë shkrimet e Halilajt në rrjete sociale, nuk kishte mundur të përmbahet, ashtu që në një reagim të momentit edhe e kishte thirrur në telefon Halilajn.

Ndryshe, në këtë rast janë të akuzuar edhe Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri. Të dy këtë po akuzohen për veprën penale të vr.asjes së rëndë në tentativë, pasi sipas prokurorisë, kishin tentuar ta vra.sin të dëmtuarin Halilaj. Lushtaku akuzohet edhe për veprën penale të asgjësimit dhe dëmtimit të pasurisë.

Por, për këto vepra, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri janë deklaruar të pafajshëm, ashtu që tashmë procesi gjyqësor ndaj tyre do të vazhdojë. Lushtaku dhe Zeqiri akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, por për këtë vepër, të dy janë deklaruar fajtor në shqyrtim fillestar.

Sipas aktakuzës, Sami Lushtaku po akuzohet për veprën penale të kanosjes kurse Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohen për vr.asje të rëndë të mbetur në tentativë. Po ashtu, këta të fundit po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ibrahim Lushtaku edhe për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.