kryeministri-hoti-i-pergjigjet-“kercenimeve”-te-deputetit-fikrim-damka-per-shkarkimin-e-ambasadorit-gashi

Kryeministri Hoti i përgjigjet “kërcënimeve” të deputetit Fikrim Damka për shkarkimin e ambasadorit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për kërcënimet që deputeti i komunitetit turk, Fikrim Damka ka lëshuar sot ndaj qeverisë, duke thënë se nuk do ta votojë asnjë projektligj nëse nuk shkarkohet ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Në një prononcim para mediave, Hoti ka thënë se do të bisedojë me deputetin Damka për qëndrimin e tij, mirëpo se siç u shpreh ai, qeveria është e pashantazhueshme.

Hoti në këtë paraqitje para mediave foli edhe për skandalin e betimit të kabinetit qeveritar të Serbisë, ku betohet “se do të ruhet Kosova”.

Ai tha se çka flitet në Beograd është krejtësisht jo relevante, dhe se sipas tij dialogu bëhet vetëm për njohje reciproke.

“Do ta ruajnë si e kanë ruajtur Kosovën qe 20 vjet të pavarur. Çka thonë dhe si veprojnë në Beograd është totalisht e jo relevante për shtetin e Kosovës. Ju e dini dialogu se për çka bëhet, vetëm për njohje reciproke”, tha Hoti, për medie gjatë një vizite në Badovc.

Hoti u pyet edhe për kontestin në Kushtetuese lidhur me votën e deputetit të dënuar me burgim për qeverinë Hoti, Etem Arifi, për të cilin tha se është çështje e gjykatës dhe s’mund ta komentojë.