fyerjet-e-mbremshme-ndaj-melihate-termkollit,-isa-mustafa-i-reagon-ashper-tome-gashit

Fyerjet e mbrëmshme ndaj Melihate Tërmkollit, Isa Mustafa i reagon ashpër Tomë Gashit

Isa Mustafa i reagon Tomë Gashit pas fyerjeve të mbrëmshme ndaj Melihate Tërmkollit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj ofendimit të mbrëmshëm që avokati Tomë Gashi i ka bërë anëtares së LDK’së, Melihate Termkolli.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ofendimet që iu bënë Tërmkollit nga avokati Tomë Gashi janë të papranueshme, jo vetëm për LDK-në, por për çdo mendje civilizuese në Kosovë.

Mustafa e ka quajtur Gashin edhe të paedukatë.

“Pengesat që mbrëmë iu bënë në një emision televiziv znj Melihate Termkolli, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që ta shpreh mendimin e saj dhe ofendimet që pasuan ndaj saj nga avokati Tomë Gashi janë të papranueshme, jo vetëm për LDK-në por për çdo mendje civilizuese në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, mbrëmë në emisionin “Debat” të RTK-së ka eskaluar situata ndërmjet Melihate Tërmkollit dhe Tomë Gashit.

Derisa anëtarja e LDK-së fliste për Vetëvendosjen dhe qeverisjen e saj pas 6 tetorit, Gashi vazhdonte të ndërhynte duke thënë se Kosova s’ka nevojë të dialogojë me Serbinë dhe se pavarësia e Kosovës është vulosur edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dhe në këtë moment ka reaguar Tërmkolli duke i thënë Gashi se ai e kupton vetëm fjalën serbe “çuti” që do të thotë hesht.

“Çuti, se ti veç kështu kupton dhe e din mirë pse e kupton këtë”, i ka thënë Tërmkolli, Gashit.

Pas kësaj, avokati Gashi i është drejtuar zonjës Tërmkolli me “Zoti Tërmkolli”. “Ani Zoti Tërmkolli”, tha ai, ndërsa Tërmkolli më nuk vazhdojë të fliste.