prokuroria-ngrit-aktakuze-kunder-naser-qelit

Prokuroria ngrit aktakuzë kundër Naser Qelit

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Naser Gashit, i njohur si Naser Qeli, pas kërcënimeve ndaj gazetarëve në redaksinë e Gazetës Express , si dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të. Nëse shpallet fajtor për këto akuza, ai mund të dënohet edhe me burgim.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ulaj i ka thënë Gazetës Express se ndaj Gashit është ngritur aktakuzë për veprat penale “kanosja” dhe “cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”, si dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 14.10.2020, ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj personit me inicialet N.G., në drejtim të veprave penale “Kanosja”, nga neni 181 të KPRK-së dhe “Cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”, nga neni 197 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti është proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për trajtim të mëtejmë”, ka deklaruar Ulaj.

Ndryshe, veprat për të cilat akuzohet Gashi dënohen edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Për veprën penale të “Kanosjes”, Gashi mund të dënohet me burgim deri në një vit.

“2. Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me ar’më zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit”, thuhet në Nenin 181 të Kodit Penal.

Ndërkohë, për veprën penale Cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”, aim und të dënohet me burgim deri në tri vjet.

“1. Kushdo që pa autorizim apo në mënyrë të kundërligjshme hyn në banesë ose në objektin e mbyllur të personit tjetër apo nuk largohet nga objektet e tilla sipas kërkesës së personit të autorizuar, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në Nenin 187 të Kodit Penal.

Para më shumë se dy javësh, Naser Qeli ka hyrë në ndërtesën ku ndodhet redaksia e Gazetës Express dhe i ka kërcënuar me vr’asje gazetarët që ishin në zyrë.

Ai u ka bërë presion që të fshijnë raportimet që lidheshin me të në rubrikën rozë.