punetoret-e-telekomit-mbesin-pa-paga-pas-bllokimit-te-llogarive-nga-devollet,-paralajmerojne-greve

Punëtorët e Telekomit mbesin pa paga pas bllokimit të llogarive nga Devollët, paralajmërojnë grevë

Sërish janë bllokuar llogaritë e Telekomit.

Lamih Balaj nga Sindikata e Telekomit ka paralajmëruar se nëse nuk do të zhbllokohen llogaritë e Telekomit, përveç protestave para Qeverisë, sindikata do të mbajë edhe greva brenda dhe jashtë objekteve, e që sipas tij kjo do të ketë pasoja.

“Këshilli i Grevave kanë vendosë që të mos shkojnë më në protestë para Qeverisë, nëse shkohet me protestë do të ndryshojë kahje, nuk e di kah do të shkojmë. Nuk përjashtohen grevat brenda dhe jashtë objekteve, por nëse merren këta hapa nga sindikata nuk do të jetë mirë as për ata që na lënë pa paga, nuk do jetë mirë për askënd, as ministrisë e qeverisë”, tha Balaj.

Balaj thotë se prokuroria duhet të hetojë të gjitha rastet në Telekom, teksa ka shtuar se Qeveria e ka vështirësuar gjendjen me Telekomin, sipas tij, me deklaratat se ndërmarrja po falimenton.

“Qeveria na ka sjellë në atë gjendje sa janë dalë kanë thënë se po falimenton Telekomi. Këtu duhet me u fut prokuroria, nëse ka prokurori nuk duhet t’i besohet as qeverive që kanë qenë e as ministrave të kaluar. Duhet me hetu dhe të dihet pse thotë që po du me të falimentuar. Aq hajni të mëdha janë bë në Telekom, e dijmë që janë bë hajni aty, zbardhi”, tha ai.