shifrat-alarmante-te-te-infektuarve-me-koronavirus,-reagon-kryetari-i-prishtines

Shifrat alarmante të të infektuarve me koronavirus, reagon kryetari i Prishtinës

Shpend Ahmeti reagon pas shifrave alarmante të të infektuarve me COVID-19.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas shifrave alarmante të të infektuarve me COVID-19 në 24 orët e fundit.

Ahmeti ka paralajmëruar se numrat do të shtohen edhe më shumë nëse nuk do të kufizohen daljet pa nevojë.
“Këtë që e thash para tre dite po ndodh tani. Mbi 400 raste. Numrat do të shtohen shumë nqs nuk kemi edhe përgjegjësi individuale për të kufizuar daljet pa nevojë. Kujdes!”, ka shkruar Ahmeti në Tëitter.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 418 raste pozitive me COVID-19. Edhe sot, numri më i madh i rasteve janë regjistruar në Prishtinë.

Në kryeqytet janë regjistruar 188 raste të reja me këtë sëmundje. Rastet e tjera janë nga Gjakova, Fushë Kosova, Podujeva, Gjilani, Peja, Deçani, Prizreni, Suhareka, Lipjani, Drenas, Obiliq, Klina, Shtimja, Graçanica, Ferizaj, Vushtrria, Kamenica, Malisheva, Rahoveci, Skënderaj dhe Vitia.

“Numri total i rasteve pozitive është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 67 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.434 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.126”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.