pdk-kerkon-shkarkimin-e-ministres-bajrami-dhe-ministrit-kuci

PDK kërkon shkarkimin e ministres Bajrami dhe ministrit Kuçi

PDK-ja kërkon shkarkimin e dy ministrave të Qeverisë Hoti.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk janë duke parë ndonjë përgjegjësi morale të Qeverisë Hoti lidhur me skandalet e fundit, siç janë vjedhjet në institucionet publike dhe shkarkimi i Task-forcës Antikorrupsion.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ai i Ekonomisë, Blerim Kuçi, duhet të shkarkohen dhe duhet të tërhiqet vendimi për shfuqizimin e Task-forcës Antikorrupsion.

“Depërtimi kaq i lehtë në keqpërdorimin e buxhetit të Republikës, është një sinjal i pasigurisë që është dërguar tek partnerët tanë, tek investitorët e huaj dhe mekanizmat ndërkombëtar financiar. Prandaj, gjithsesi se Ministrja Bajrami ka përgjegjësi morale për këtë rast. Një akt i tillë kriminal brenda një institucioni me përgjegjësi kaq të madhe, duhet të shoqërohet me një akt moral, konkretisht me dorëheqjen e parevokueshme të Ministres”, ka deklaruar Tahiri para mediave.

Tutje, PDK-ja ka njoftuar se skandali i tenderit të fituar nga kompania e ministrit Kuçi, është skandal që e ka sfiduar integritetin e institucioneve publike, dhe e kanë lënduar më shumë se kurrë, besimin që qytetarët duhet ta kenë në institucione.

Ai ka shtuar se Kuçi duhet të shkarkohet nga posti i ministrit të Ekonomisë, në mënyrë që ndalet degradimi i institucioneve publike të Republikës së Kosovës.

Lidhur me shfuqizimin e Task-forcës Antikorrupsion, PDK-ja thotë se ishte vendim i dëmshëm dhe i motivuar politikisht.

“Shkarkimi i Task-forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka qenë një vendim i dëmshëm, i pa arsyeshëm, i pa bazë dhe i motivuar politikisht, për të goditur rendin dhe ligjin. Task-forca kundër Korrupsionit, ka qenë përgjegjëse për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë, dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në vend të inkurajimit për efikasitet kundër korrupsionit, Qeveria Hoti, ka inkurajuar kriminalitetin dhe korrupsionin, që në ditën kur ka marrë vendim për shuarjen e kësaj Task-force”, ka thënë tutje deputeti Tahiri.