drenica-e-mposht-prishtinen,-drita-e-mund-llapin-me-permbysje

Drenica e mposht Prishtinën, Drita e mund Llapin me përmbysje

Drita e mund Llapin me përmbysje, Drenica e mposht Prishtinën.

Drita e ka mposhtur Llapin me përmbysje 2:1, ndërkohë Drenica e ka tronditur Prishtinën duke e mundur 1:0 në dy ndeshjet e fundit të javës së 10-të të Superligës të zhvilluara të dielën në mesditë.

Kampiones së Kosovës iu desh të luftonte për ta përmbysur rezultatin, pasi po humbiste kur Valmir Veliu e kaloi Llapin në epërsi herët në ndeshje. Almir Ajzeraj e barazoi rezultatin në minutën e 57-të, para se Ahmed Januzi të shënonte autogol 20 minuta para fundit, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Ardian Nuhiut e kontrolloi ndeshjen për shumicën e kohës, veçanërisht derisa e siguroi epërsinë.

Llapi bëri një lojë shumë të mirë dhe krijoi shumë, por nuk i mjaftoi ta shmangë humbjen e gjashtë në nëntë ndeshje këtë sezon.
Drita e mban pozitën e dytë me 19 pikë, gjashtë më pak se lideri Ballkani, por ende i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara po ashtu.

Llapi ndërkohë, ngel e parafundit me vetëm pesë pikë, gjashtë më pak se Arbëri në vendin e tetë, i cili është i fundit që siguron mbijetesën në elitë.

Ndërkohë, edhe më befasuese ishte fitorja e Drenicës 1:0 kundër Prishtinës në Skenderaj.

Egzon Fazliu e realizoi golin e tri pikëve të mëdha për Drenicën në minutën e 60-të.

Ai erdhi nga stoli në fillim të pjesës së dytë për t’u shndërruar në hero për skuadrën e Drenicës.

Prishtina i kishte mundësitë e veta, sidomos në pjesën e parë, përmes Otto John dhe Shillovës, por nuk ia doli ta mposhtë Ymerin asnjëherë.

Drenica e kalon Prishtinën në renditje dhe tani ka 14 pikë, tri më shumë se kryeqytetasit.