msh-paralajmeron-kthimin-e-ekipeve-mjekesore-ne-pika-kufitare,-komunat-ankohen-per-mungesa-ne-staf

MSH paralajmëron kthimin e ekipeve mjekësore në pika kufitare, komunat ankohen për mungesa në staf

Është përkeqsuar situata me koronavirus në Kosovë.

Me shtimin e numrit të rasteve me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë përsëri do t’i vendosë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare në gjithë vendin.

Komuna e Vushtrrisë ka mbuluar pikën kufitare në Jarinje me staf mjekësor në fazën e parë të pandemisë.

Por, tash, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Sylejman Meholli, ka thënë se për ta bërë përsëri këtë u duhet ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, si me staf mjekësor, ashtu edhe me mjete financiare.
Sipas Mehollit, tash do të ketë mungesa edhe më të mëdha në stafin mjekësor parësor, pasi që një pjesë e tyre do ta fillojnë specializimin në klinikat e QKUK’së.

Të gatshëm janë shprehur edhe nga Komuna e Prizrenit, megjithatë edhe atje përmendet numri i vogël i stafit mjekësor.

Përderisa Asociacioni i komunave të Kosovës nuk e ka përkrahur idenë që komunat të dërgojnë staf mjekësor nëpër pikat kufitare, pasi që thonë se matja e temperaturës mund të bëhet edhe nga dikush tjetër.

Sipas AKK’së, gjatë kësaj periudhe komunat kanë marrë shumë përgjegjësi nga niveli qendror dhe ato e kanë nën përgjegjësi që t’i vizitojnë familjet e prekura nga COVID-19, ndër shumë përgjegjësi të tjera.