kryeministri-alarmon:-situata-epidemiologjike-eshte-serioze,-nuk-perjashtohet-ashpersimi-i-masave

Kryeministri alarmon: Situata epidemiologjike është serioze, nuk përjashtohet ashpërsimi i masave

Hoti: Situata epidemiologjike është serioze, nuk përjashtohet ashpërsimi i masave.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se situata epidemiologjike në vend është serioze. Pas takimit me akterët kryesorë në menaxhimin e pandemisë, Hoti ka shkruar se nuk përjashtohet ashpërsimi i masave anti-Covid, raporton Express

Hoti ka shkruar në Facebook se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtori i IKSHPK’së, Naser Ramadani, kanë vlerësuar se situata është serioze dhe me tendeca përkeqësimi.

“Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani, vlerësuan se situata epidemiologjike me Covid 19 në vendin tonë është serioze dhe me tendenca përkeqësimi. Pasi që numri i qytetarëve të prekur me Covid 19 në ditët e fundit arrin 120 të infektuar në 100 mijë banorë. Prandaj, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, të cilat janë në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe në mbikëqyrje të zbatimit të masave, nëse do të jetë e nevojshme, do të rekomandojnë dhe do të ndërmarrin veprime shtesë për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Hoti deklaron se partnerët ndërkombëtarë kanë dhënë mbështetje për masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, derisa thotë se sipas tyre, ënse është e nevojshme, nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave.

“Partnerët ndërkombëtarë, shprehen mbështetjen e plotë për masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë, si dhe kërkuan angazhim shtesë në monitorimin e situatës. Sipas tyre, nëse do të jetë e nevojshme nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave, për të vënë nën kontrollë shpërndarjen e virusit dhe mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor”, ka shkruar Hoti.