pas-zhvillimeve-të-speciales,-aak-kërkon-ndërprerjen-e-dialogut-me-serbinë

Pas zhvillimeve të Speciales, AAK kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me strukturat e saj.

Pas takimit, AAK ka lëshuar një komunikatë për media përmes së cilës bënë të ditur për temat që janë diskutuar në këtë takim.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. – AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së!”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Komunikata e plotë:

Deklaratë nga mbledhja urgjente e Kryesisë së AAK –së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. – AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së!

Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse, kundër pushtetit kriminal e gjenocidal serb, dhe do të dëshmohet si shumë herë më parë, pastërtia e saj. – AAK kërkon:

1.Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërpresë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

2.Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme.

3.Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë

4.Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese.

– AAK pyet aleatët tonë strategjik ndërkombëtarë, se a jemi në rrugën e duhur për anëtarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa?