serish-werder-bremen-s’e-lejon-rashicen-te-vije-te-luaje-per-kosoven

Sërish Werder Bremen s’e lejon Rashicën të vijë të luajë për Kosovën

Werder Bremen s’e lejon prapë Rashicën të vijë të luajë për Kosovën.

Werder Bremen nuk do ta lejojë Milot Rashicën t’i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës për ndeshjet e nëntorit, për shkak të kufizimeve të koronavirusit, sipas mediave gjermane.

Rashica është ftuar nga trajneri i Kosovës Bernard Challandes për ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë më 11 nëntor në Elbasan dhe për dy ndeshjet e fundit në grup në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe ndaj Moldavisë në Prishtinë, raporton Gazeta Express.

Sulmuesi anësor nga Vushtrria s’e lejua të udhëtonte drejt Prishtinës as në humbjen e Kosovës 2:1 kundër Greqisë në stadiumin Fadil Vokrri në shtator.

Rashica po ashtu mungoi në katër ndeshjet e fundit të Kosovës në dy muajt e fundit, për shkak të një lëndimi në gju.

Kufizimet e vendosura nga autoritetet shëndetësore në Bremen për mbrojtje ndaj Covid-19, e kanë shtyrë klubin e Bundesligës të mos i lejojë lojtarët e vet t’u bashkohen Kombëtareve të tyre përkatëse, sipas mediave të shumta gjermane.

Sipas masave për mbrojtje ndaj virusit në Bremen, një futbollist që kthehet në qytet nga jashtë shtetit duhet të futet në karantinë pesëditore, pavarësisht rezultatit të testit për Covid-19.

Werderi nuk dëshiron të ketë mungesa për ndeshjet e veta pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve, prandaj nuk do t’i lejojë futbollistët të udhëtojnë jashtë vendit.

Rashica do të mungonte në dy ndeshje vendimtare për fatin e Kosovës në Grupin 3 të Ligës C, pasi dardanët dëshirojnë ta shmangin rënien në Ligën D – kategorinë e fundit të kësaj gare.

24-vjeçari do ta humbte mundësinë për të luajtur kundër Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë dhe tri ditë më vonë kundër Moldavisë në Prishtinë.

Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia.