per-shkak-te-koronavirusit,-superliga-e-kosoves-shtyhet-per-mesjaven-e-ardhshme

Për shkak të koronavirusit, Superliga e Kosovës shtyhet për mesjavën e ardhshme

Superliga e Kosovës shtyhet për mesjavën e ardhshme, shkaku i Covid-19.

FFK ka njoftuar me anë të një komunikate që ka shtyrë për një javë të gjitha ndeshjet e kësaj xhiro për në Superligë.

Këtë vendim, FFK-ja thotë se e ka bërë për shkak të vendimeve të fundit që ka marrë Qeveria e Kosovës, edhe pse ky vendim nuk thotë se ndeshjet e futbollit të mos zhvillohen.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin dhe klubet anëtare të saj se të gjitha ndeshjet e parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë janë shtyrë për mesjavë”, thuhet në komunikatë.

Sipas FFK-së, pavarësisht se vendimi nuk është marrë që ndeshjet të mos luhen, ato shtyhen për mesjavë edhe për shkak të karantinimit të shtatë qyteteve në Kosovë.

“Në fakt, me vendimin e ri të Qeverisë aktivitetet e futbollit nuk janë ndërprerë, por FFK e ka vlerësuar si të nevojshme shtyrjen e ndeshjeve të kësaj fundjave, duke pasur parasysh karantimin e 7 qyteteve për fundjavë si masë për menaxhimin më të mirë të situatës me Covid-19 dhe me qëllim të lehtësimit të gjërave për klubet dhe zyrtarët e ndeshjeve, të cilët do të mund të hasnin në pengesa gjatë udhëtimit të tyre për ndeshje në qytetet e karantinuara. Kësisoj, garat do të vazhdojnë në mesjavën e ardhshme për çka klubet do të njoftohen me kohë nga komisionet përkatëse për orarin e ri të ndeshjeve”.