rama-e-akuzon-meten,-berishen-e-bashen-se-mbeshteten-akuzat-e-dick-martyt-kunder-krereve-te-uck-se

Rama e akuzon Metën, Berishën e Bashën se mbështetën akuzat e Dick Martyt kundër krerëve të UÇK-së

Zhvillimet e fundit pasi Gjykata Speciliale i konfirmoi aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kanë shkaktuar përplasje edhe në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka folur për raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty mbi krimet që pretendon se i kryen anëtarë të UÇK-së, duke i akuzuar dy kundërshtarët e tij politikë, Ilir Metën e Sali Berishën.

Rama e ka pyetur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse kanë votuar pro ndaj këtij raporti që inkriminonte UÇK-në. Po kështu i ka kërkuar llogari edhe liderit të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Bashës “për sajesën e Shtëpisë së Verdhë”.

“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, ka shkruar Rama.

Raporti i Martyt është materiali me të cilin është vendosur baza e ngritjes së Dhomave të Specializuara në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

Një gjyqtar i procedurës paraprake i kësaj gjykate, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ndaj shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimit.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjgjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë bërë në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.