thirrja-e-zv/kryeministrit-tahiri:-t’i-leme-agjendat-partiake,-te-behemi-bashke-per-drejtimin-e-shtetit

Thirrja e zv/kryeministrit Tahiri: T’i lemë agjendat partiake, të bëhemi bashkë për drejtimin e Shtetit

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri vlerëson se Kosova është e goditur dhe gjendet në rrethana tepër të vështira pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër katër figurave eminente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Tahiri, në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se në rrethanat e krijuara, Qeveria dhe partitë duhet të dakordohen për drejtimin e vendit.

“Kosova është goditur seriozisht dhe është në një situatë jo të zakonshme për faktin se presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari Veseli dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryetari i grupit më të madh opozitar, brenda dy ditësh janë ftu dhe sot derisa po flasim janë në Gjykatën Speciale. Në këto rrethana, qasja e parë e shtetit, e Qeverisë dhe e partive është me u dakordu për drejtimin që do ta ketë vendi në këto rrethana tepër të vështira”, ka thënë Tahiri.

Ai ka përmendur tri sfida me të cilat tha se do të përballet AAK-ja dhe Qeveria, e ku Tahiri e rendit të parën zbardhjen e të vërtetës për luftën e drejtë të UÇK-së.

“Deri para kësaj dite kemi pasë pozicione politike për tema të ndryshme. Tash, edhe si subjekt politik, por edhe si Qeveri, duhet të shkojmë përtej për të ndërtuar një koncept kombëtar, shtetëror dhe politik, të unifikuar përballë sfidave që i kemi përpara, e ato janë tri: E para ka të bëjë me vetë Gjykatën Speciale, pra me rolin e saj. Me e zbardhë të vërtetën që lufta jonë për liri ka qenë e drejtë, mbi përgjegjësinë që e kemi, gjithmonë duke e respektu ligjin. E dyta ka të bëjë me agjendën tonë të brendshme, që lidhet me punët tona ditore, parandalimin e pandemisë dhe rolin që e ka Qeveria dhe Kuvendi në këtë linjë; dhe e treta, me agjendën e jashtme, që në të hyn edhe dialogu, e ku bashkimi dhe uniteti rreth një platforme do ta ndihmonte forcimin e Qeverisë së Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Karshi situatës, që Tahiri vlerëson se s’ka qenë më e pazakontë që nga shpallja e pavarësisë, ai kërkon që të lihen agjendat e ngushta.

“Këtë javë dhe këto ditë, nuk shikohen më agjendat e ngushta. Unë e kuptoj që njerëzit duan përgjigje, por Aleanca dhe Qeveria e kanë përballë një situatë të pazakontë, të paprecedan, të cilën që nga shpallja e pavarësisë nuk e kemi parë dhe në këtë frymë do të jetë edhe qasja jonë, edhe rrëfimi jonë, edhe si Qeveri, por edhe si parti politike”, ka thënë Tahiri.

Për rrethanat e krijuara që zëvendëskryeministri Besnik Tahiri i ka quajtur tepër të vështira, sot ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Mustafa, të dielën në një deklaratë me shkrim për Express ka thënë se momentalisht është e rëndësishme mbështetja ndaj atyre që po ballafaqohen me procesin gjyqësor në Hagë. Ai ka thënë se duhet bërë një plaftormë për ta prezantuar para opinionit ndërkombëtar luftën e pastër të UÇK-së dhe për t’i rikujtuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Jam i gatshëm që në këtë kohë të bisedoj me të gjithë, se si të organizohemi e ti mbështesim njerëzit tanë që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale, të kujdesemi për mbrojtjen e tyre, sepse ata tani janë vetëm të dyshuar ndërkaq vetëm procesi gjyqësor mund të vërtetojë fajësinë e tyre, të bëjmë një platformë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar dhe rikujtuar luftën e pastër të UÇK-së dhe krimet e kryera serbe në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me çdo kusht kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Anëtarja e Kryesisë së këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu, të dielen në një intervistë për Express se është e papranueshme që të vazhdojë qeverisja aktuale.

“Zgjedhjet në Republikën e Kosovës duhet të ndodhin sa më parë. Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet, nuk ka mbështetje as qytetare prandaj çfarëdo tendence për të vazhduar me qasjen kinse asgjë s’po ndodhë është e papranueshme për vendin dhe qytetarët. Është uzurpim i qeverisë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Këta njerëz nuk kanë pse i frikësohen popullit, tek e fundit nuk kanë nga i ikin!”, ka deklaruar Haxhiu.

Të mërkurën, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destianacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjgjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.