avokati-i-thacit-e-pyet-prokurorin:-ku-eshte-aktakuza-per-trafikim-te-organeve

Avokati i Thaçit e pyet prokurorin: Ku është aktakuza për trafikim të organeve

Ka nisur seanca në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit.

David Hooper, akovat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pyetur Prokuorinë e Specializuar dhe gjykatësin e Procedurës Paraprake se ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, mbi të cilat u themelua Gjykata Speciale.

“Ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, sepse këto ishin shumë të rëndësishme për lindjen e kësaj gjykate”, ka pyetur Hooper.

Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.