kosova-me-mungesa-te-shumta-ne-ndeshjet-e-nentorit

Kosova me mungesa të shumta në ndeshjet e nëntorit

Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar sot në Durrës në kuadër të përgatitjeve për tri ndeshjet e muajit të nëntorit, miqësores me Shqipërinë më 11 nëtor dhe ndeshjeve të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë (15 nëntor) dhe Moldavisë (18 nëntor).

Për këto ndeshje Kosovën nuk do ta ndihmojnë Milot Rashica e Leart Paqarad, që nuk janë lejuar nga klubet t’i bashkohen përfaqësueses, pasi duhet të karantinohen kur të kthehen në Gjermani, njofton FFK-ja.

Po ashtu do të mungojë shkaku i lëndimit edhe Florent Muslija, ndërsa Benjamin Kololli është i suspenduar për dy ndeshje për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Greqisë, suspendim që vlen për ndeshjen e Ligës së Kombeve. Është vendosur që ai mos të ftohet as në miqësore ndaj Shqipërisë, për shkak të një lëndimi të vogël që pësoi ndaj Zurichut.

Në miqësore ndaj Shqipërisë ndërkohë do të mungojnë edhe Valon Berisha e Idriz Voca.

Valon Berisha ka probleme me shpinë, por ai do t’i bashkohet përfaqësueses në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Voca ndërkohë ka marrë një lëndim dje dhe do të shikohet nëse do të rikuperohet për t’u përfshirë në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Kosova stërvitjen e parë e zhvillon sot nga ora 19:00.