bitcoin-drejt-rekordeve-historike,-disa-parashikojne-cmime-marramendese

Bitcoin drejt rekordeve historike, disa parashikojnë çmime marramendëse

Lajme të mira për Bitcoin.

Çmimi i kriptomonedhës më të famshme në botë, Bitcoin, arriti të mërkurën në 18 mijë dollarë, duke pësuar një rritje të konsiderueshme ditët e fundit. Trendi i rritjes së çmimit lë të kuptohet se shumë shpejt mund të arrihet edhe rekordi historik i monedhës virtuale, që është pak më pak se 20 mijë dollarë. Një tjetër rekord që ka gjasa të arrihet është vlera e monedhave në qarkullim, pasi deri tani shifra ka arritur në 300 miliardë dollarë.

Vlera e Bitcoin thuajse është dyfishuar përgjatë këtj viti, dhe sipas ekspertëve kjo ka ndodhur për disa arsye.

Bitcoin, sikurse edhe ari, ka përfituar nga dobësimi i dollarit. Investitorët kanë filluar ta shohin kriptomonedhën si një alternativë më të mirë ndaj kartmonedhave që mbështeten nga qeveritë e vendeve të ndryshme. Dollari, ndërkohë, mund të vijojë të mbetet në këto ujëra edhe për pak kohë, sidomos pas parashikimeve të ekspertëve që Rezerva Federale do të mbajë në 0 normën e interesit për një kohë të pacaktuar.

Por një tjetër ekspert, Mike Novogratz, i cili rejton një kompani të bazuar tërësisht në “kriptoasete”, të quajtur Galaxy Digital, tha të mërkurën për CNBC se mendonte që vitin e ardhshëm, çmimi i Bitcoin mund të arrijë deri në 60 mijë dollarë. Ndërsa një tjetër ekspert, hartues strategjishë për Citi Bank, shkroi këtë javë në një raport se deri në fund të vitit 2021 çmimi për 1 Bitcoin mund të arrijë deri në 318 mijë dollarë.

Megjithatë, këto janë vetëm parashikime. Në të kaluarën, çmimi i kriptomonedhës është luhatur shpesh, me raste edhe brenda pak orëve, madje edhe minutave, siç ndodhi në mars, kur ekonomia amerikane u ndal për shkak të pandemisë së koronavirusit.

jep-doreheqje-ud.-i-drejtorit-te-bordit-te-trepces-pas-ngujimit-te-minatoreve

Jep dorëheqje u.d. i drejtorit të Bordit të Trepçës pas ngujimit të minatorëve

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të Trepçës, Hysen Vrajolli, ka dhënë sot dorëheqje. Kjo ka ardhur pas ngujimit të minatorëve nëpër miniera si pasojë e mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Refik Mehmeti.

Ai ka thënë se Vrajolli ka thënë Vrajolli dorëheqjen e ka paraqitur me vetëdëshirë, kurse tani Bordi është duke caktuar dikë tjetër në këtë pozitë.

mbyllen-80-minatore-te-trepces-e-32-te-artanes-–-nuk-i-moren-pagat

Mbyllen 80 minatorë të Trepçës e 32 të Artanës – nuk i morën pagat

Ngujohen 80 minatorë të Trepçës e 32 të Artanës – nuk i morën pagat.

Mbi 80 minatorë të Trepçës janë ngujuar në horizontin e 10-të të minierës së Trepçës në Stantërg.

Por jo vetëm këta. Në shenjë proteste për mos-marrjen e pagave, janë edhe minatorët e Artanës të cilët nuk kanë zhvilluar punën që prej dje dhe janë ngujuar poshtë minierës. Informacionet e fundit thonë se janë 32 minatorë tek Miniera e Artanës, të cilët po qëndrojnë të ngujuar.

I kontaktuar nga lajmi.net, nënkryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri ka deklaruar se tashmë kanë pranuar informatën se minatorët e Artanës e ndërrimit të tretë mbrëmë dhe ndërrimi i parë sot nuk kanë hyrë fare në minierë, në shenjë proteste.

“Sapo morëm informatën prej minierës se minatorët e Artanës, ndërrimi i tretë mbrëmë dhe ndërrimi i parë sot nuk kanë hy fare në minierë pra s’kanë startu fare punën”, tha ai.

Ymeri tutje shtoi se të njëjtit s’kanë hy fare në galerinë e minierës si shenjë pakënaqësie për shkak të mos-marrjes së pagave.

“Pra në shenjë revolte, minatorët s’kanë fillu fare punën”, shtoi ai.

Ndryshe ditë më parë Qeveria e Kosovës bëri të ditur se kanë ndarë 1.1 milion euro për Trepçën.

ja-sa-i-kushtoi-kosoves-mosardhja-e-mergimtareve-kete-vit

Ja sa i kushtoi Kosovës mosardhja e mërgimtarëve këtë vit

Sa i kushtoi Kosovës mosardhja e mërgimtarëve këtë vit?

Masat anti-COVID kufizuan ndjeshëm lëvizjen mes qytetarëve ndërmjet shteteve të ndryshme. Kjo është reflektuar edhe në vizitat e diasporës në Kosovë ku vihet re një rënie e ndjeshme.

Instituti GAP solli një analizë të sajën duke u bazuar në të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve për periudhën janar-gusht 2020. Sipas kësaj, analize për të njëjtën periudhë, numri i vizitorëve nga jashtë në Kosovë ishte rreth 62.5% më i ulët se në vitin 2019.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Berat Thaçi, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kjo përkthehet në rreth dy milionë vizita më pak nga jashtë, përcjell Albinfo ch.

“Në bazë të shifrave që i kemi mbledhur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës dhe Byroja e Sigurimeve, do të thotë në bazë të shifrave për udhëtimet me mjete ajrore apo aeroplan dhe tokësorë që janë vetura dhe mjetet e tjera, krahasuar me vitin e kaluar për periudhën janar- gusht 2020, kemi një rënie të vizitave për 60 për qind nga jashtë. Nëse e përkthejmë këtë në numra, vetëm në Aeroportin e Prishtinës, vetëm në udhëtimet me aeroplan i kemi një milion më pak vizita. Nëse e shohim në total mendohet se janë realizuar afro dy milionë vizita më pak në nivel vendi”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se si pasojë e rënies së vizitave nga diaspora ka pasur rënie të mëdha edhe në ekonominë e Kosovës, ndërsa shton se dëmi i shkaktuar në të hyrat e ekonomisë së vendit është rreth 300 milionë euro.

“Në bazë të një kalkulimi që e kemi bërë në Institutin GAP, se vetëm nga rënia e vizitave, të hyrat në ekonominë e vendit kanë rënë për 300 milionë euro, dhe kjo ka natyrisht efekte negative, veçanërisht për disa sektorë të cilët janë më direkt të lidhur me vizitat e diasporës, mirëpo edhe për ekonominë në tërësi. Nëse flasim për sektorë specifikë, e dimë që gastronomia, hoteleria janë sektorët që direkt ndikohen nga mungesa e vizitave të diasporës, por edhe sektorët tjerë siç janë ai i transportit, se një pjesë e diasporës vjen me veturat e tyre dhe ata pastaj shpenzojnë në Kosovë në derivate”, thotë ai.

Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë periudha kur shqiptarët që jetojnë jashtë vendit zgjedhin të kthehen në vendlindje për të kaluar festat, por kjo nuk pritet njëjtë edhe këtë fundvit.

Thaçi thotë se përhapja e pandemisë COVID-19 dhe masat që kanë marrë vendet e tjera ku është e orientuar kryesisht diaspora jonë, do të jetë pengesë e madhe që bashkatdhetarët të kthehen në vendlindje.

“Kemi dy fenomene, e para është se virusi po përhapet ndjeshëm, qoftë në Kosovë, qoftë në Evropë dhe për këtë arsye kjo mund të jetë një faktor që mund t’i zmbrapsë ata nga vizitat e tyre, sepse është një trend në rritje i përhapjes së virusit, mirëpo në anën tjetër Kosova paksa i ka relaksuar politikat e hyrjes, krahasuar me periudhën e fillimit të vitit, kur ka qenë e ndaluar hyrja e shtetasve të huaj, tash më testin PCR ata mund të hyjnë në Kosovë, mirëpo duke pasur parasysh përhapjen e virusit ne mendojmë se kjo do të jetë pengesë”, ka thënë Thaçi.

diaspora-thyen-rekord-te-dergesave,-rreth-800-milione-euro-solli-ne-kosove-per-dhjete-muaj

Diaspora thyen rekord të dërgesave, rreth 800 milionë euro solli në Kosovë për dhjetë muaj

Mërgata thyen rekord të dërgesave, për dhjetë muaj në Kosovë solli rreth 800 milionë euro.

Pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin tetor 2020, diaspora ka dërguar rreth 22 milionë euro më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar, shkruan Telegrafi.

Të dhënat tregojnë se në muajin tetor 2020, në Kosovë u sollën 99.8 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 78.2 milionë euro.

Duke krahasuar periudhën dhjetë mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar 90.9 milionë euro më shumë, apo në total 796.5 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 556.8 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Për tremujorin e dytë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 43.1 milionë euro, ndjekur nga Zvicra me 24.3 milionë euro dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 5.4 milionë euro.

Për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 7.2 për qind më e madhe se vitin 2019.

“Në kuadër të bilancit të pagesave, remitencat shënuan rritje vjetore prej 7.2 për qind”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i parë 2020”, përcjell Telegrafi.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Telegrafin kishte thënë se, mosardhja e diasporës në Kosovë, rrezikon që në mos sjelljen e një miliardë eurove të tjera nga shpenzimet e tyre.

“Nëse i referohemi vitit të kaluar, të hyrat nga remitencat kanë qentë 875 milionë euro ose në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto janë 12 për qind. Pritjet tona janë që remitencat të kenë rënie diku 14.1 për qind, gjatë këtij viti. Por, ne e kemi edhe kategori që diaspora i bënë në Kosovë, ne i quajmë shpenzime të udhëtimit, ku kjo shumë është rreth një miliard euro. Mos ardhja e tyre në Kosovë do ta rrezikonte këtë shumën prej një miliard euro”, kishte thënë Mehmeti.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

a-ka-nevoje-per-ndertim-te-autostrades-ne-kohe-pandemie?

A ka nevojë për ndërtim të autostradës në kohë pandemie?

Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, apo siç njihet ndryshe “Autostrada e Dukagjinit” është paraqitur në Projektligjin e buxhetit për vitin 2021.

Ky projekt po konsiderohet i panevojshëm, në kohën kur Kosova po ballafaqohet me krizë ekonomike për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, thotë Skënder Krasniqi, drejtor në Odën e Afarizmit të Kosovës.

Për këtë autostradë, në Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë paraparë 200 mijë euro, kurse nga 200 mijë euro të tjera janë paraparë edhe për vitin 2022 dhe 2023, që në përgjithësi i bie 600 mijë euro. Qeveria e Kosovës në fund të muajit tetor ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2021.

Krasniqi: Përqendrimi i fondeve në infrastrukturë, gabim i qeverisë

Përqendrimi i fondeve në projekte të mëdha publike, kryesisht infrastrukturë rrugore, është vendim i gabuar në këtë periudhë krize, thotë Krasniqi duke shtruar se të hyrat buxhetore gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm mund të zvogëlohen.

“Qeveria duhet të përkrahë bizneset, prodhimin vendor, eksportin sepse kemi të bëjmë me një gjendje jashtëzakonisht të keqe në raport eksport-import. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që qeveria prioritet të ketë përkrahjen e bizneseve për tejkalimin e krizës, në mënyrë që të Kosova mos të futet edhe në një katastrofë edhe më të rëndë të zhvillimit ekonomik sepse efektet e pandemisë do barten edhe vitin tjetër”, tha Krasniqi.

Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës, që nga muaji mars i këtij viti, të shkaktuara nga pandemia, sipas përfaqësuesve të bizneseve, vlerësohen të jenë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune.

Bektashi: Kërkohet menaxhim efektiv i mjeteve buxhetore

Edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se ekonomia po përballet me emergjenca, bizneset për shkak të pandemisë kanë zvogëluar numrin e punëtorëve, rrjedhimisht po rritet edhe shkalla e varfërisë.

Ekonomia në këtë situatë, sipas tij, ka nevojë për përkrahje financiare për bizneset dhe rastet sociale.

“Qeveria duhet të krijojë rezerva financiare me qellim që të krijojnë rezerva për të ndihmuar bizneset që janë para falimentimit, ndoshta gjysma e tyre nuk mund të funksionojnë vitin e ardhshëm. Por, mos të harrojmë se në Kosovë kemi një situatë shumë të vështirë sociale, kështu që kërkohet menaxhim i mirë”, thekson Bektashi.

Krasniqi:Qeveria nuk shqetësohet për zhvillim ekonomik

Por, Skënder Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë, se qeveria nuk po shqetësohet për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Me pasojat e pandemisë bizneset do përballen edhe vitin e ardhshëm. Kështu që qeveria është dashur të ndryshojë strategjinë, qoftë edhe duke hequr dorë nga ndërtimi i kësaj autostrade. Fokus duhet të jetë zhvillimi ekonomik, përmes mbështetjes së bizneseve private nga edhe mbushet buxheti”, thotë ai.

Bektashi: Nëse shkatërrojmë ekonominë nuk na duhen autostradat

Investimet publike të financuara nga buxheti janë të nevojshme, por në këtë kohë mund të pezullohen, thotë Bektashi.

“Nëse ne shkatërrojmë ekonominë, nuk na duhen autostradat dhe as objektet infrastrukturore. Prandaj, qeveria duhet të fokuset sa më shpejtë në rimëkëmbjen dhe në ndihmë të bizneseve. Jo, vetëm qeveria por edhe shumë komuna të veprojnë për të shpëtuar bizneset”, thekson Bektashi.

Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, ishte projektuar nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Kjo autostradë llogaritet si një ndër më të gjatat në territorin e Kosovës, me 91 kilometra gjatësi.

Infrastruktura rrugore kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.

Aktualisht, në proces të ndërtimit është edhe autostrada Prishtinë – Gjilan – Konçul, që pritet të lidhë Kosovën me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.

Autostrada e parë e ndërtuar në Kosovë, ishte ajo që e lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”.

Kurse vitin e kaluar ka përfunduar autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut.

inatet-politike-po-vazhdojne-te-lene-qytetaret-e-bizneset-pa-perkrahje-ekonomike

Inatet politike po vazhdojnë të lënë qytetarët e bizneset pa përkrahje ekonomike

Inatet politike po vazhdojnë të lënë qytetarët e bizneset pa përkrahje ekonomike
Miratimi në lexim të dytë i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike po del të jetë mision i pamundur për koalicionin qeverisës. I njëjti tashmë dy herë ka dështuar të miratohet, e partitë opozitare refuzojnë që të japin votat e tyre për këtë projektligj, të cilin e quajnë të dobët dhe që nuk përmbush nevojat e qytetarëve dhe të bizneseve.

Inatet politike po vazhdojnë të lënë qytetarët e bizneset pa përkrahjen ekonomike, e po u pamundësojnë atyre të përfitojnë nga tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale. Derisa organizatat që merren me mbikëqyrjen e punës së Kuvendit të Kosovës, vlerësojnë se një projektligj që synon të adresojë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 do të duhej të gjente konsensus të gjerë politik.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, thotë se ky projektligj i propozuar nga koalicioni qeverisës nuk ka të bëjë fare me rimëkëmbjen ekonomike.

Madje sipas tij rimëkëmbja më e mirë ekonomike është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Sa i përket Ligjit për rimëkëmbje ekonomike ne i kemi thënë që ky ligj nuk ka fare të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike dhe se kjo qeveri duhet të ikë dhe rimëkëmbja ekonomike më e mirë është kur kjo qeveri ik dhe kemi zgjedhje të reja, e qeveri e cila punon dhe angazhohet për interesin e qytetareve. […] Duke e parë që ky ligj nuk ka të bëjë fare me rimëkëmbjen ekonomike, ashtu siç nuk kanë asnjë veprim tjetër që po e shohim se cilat hapa është duke i ndërmarrë kjo qeveri, nuk ka kuptim që të votojmë diçka që është në dëm të qytetarëve”, thotë ai.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, thotë se nuk mund ta mbështesin këtë projektligj pasi që nuk janë përfshirë kërkesat e tyre.

Ai thotë se PDK si parti opozitare ka dorëzuar pakon e saj ekonomike në Kuvend dhe ka kërkuar nga koalicioni qeverisës që për interes të qytetarëve të bashkëpunojnë, por që thotë se kërkesa është injoruar.

Hoxha thotë se për mundësinë e tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trusti ata janë të gatshëm që ta votojnë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, përmes të cilit do t’iu mundësohej qytetarëve që të bëjnë tërheqjen e mjeteve.

“Është fatkeqësi që po manipulon në emër të 10 përqindëshit që e ka futur brenda pakos dhe në qoftë se e ka për këtë, na po e votojmë përmes plotësim ndryshimit të Ligjit, por jo me manipulua në emër të kësaj edhe me një pako ekonomike e cila nuk garanton mbështetje të fuqishme të bizneseve dhe të qytetarëve të Kosovës. […] Si mund ta votojmë ne kur asnjë nga pikat tona nuk janë përfshirë në pakon ekonomike fiskale, në qoftë se kërkohet bashkëpunim me opozitën atëherë t’i duhet të dëgjosh opozitën edhe në versionin e saj se si ajo e mendon zhvillimin ekonomik. Ne kemi kërkuar partneritet më shumë se 6 muaj për ta ndërtuar një pako të rimëkëmbjes ekonomike, por fatkeqësisht jemi injoruar nga qeveria. As nuk i kanë votat të kalojnë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike as nuk bashkëpunojnë me opozitën”, tha ai për KosovaPress.

Me arsyetimin se Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike është në të mirë të qytetarëve të vendit, deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, fton edhe partitë opozitare që ta votojnë.

Ai thotë se ky projektligj duhet të kalojë sepse është nevojë imediate e popullit dhe sektorit ekonomik në vend.

“Ligji për rimëkëmbjen ekonomike realisht është ligj që bëhet për qytetarët e Kosovës, ligj që bëhet për biznesin privat në Kosovë, ligji që bëhet për të mirën e shtetit tonë. Nuk ka të bëjë as me LDK-në, fundja as me koalicionin qeverisës, ka të bëjë me interesin qytetar dhe normalisht, për sa edhe opozita ka interes burimor interesin e qytetarëve, ne i mirëpresim edhe amendamentimin që ata mund t’i bëjnë këtij ligji. Ligji duhet të kalojë sepse është nevojë imediate e këtij populli, është nevojë imediate e këtij vendi që ta ndjejë dorën e shtetit dhe që pandemia me gjithë sfidën e madhe shëndetësore që e ka krijuar, krizën shëndetësore që e ka krijuar, të paktën të mos na çojë edhe në një humnerë ekonomike”, thotë ai.

E një projektligj që synon të adresojë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 do të duhej të gjente konsensus të gjerë politik sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se përgjegjësia kryesore për dështimin e miratimit të këtij projektligji bie mbi pozitën, përkatësisht LDK-në si subjekt më i madh parlamentar në kuadër të koalicionit aktual qeverisës.

“Në parim të gjitha projektligjet të cilat synojnë të adresojnë pasojat, qoftë shëndetësore apo ekonomike të pandemisë, do të duhej që të gjenin një konsensus më të gjerë politik, pra përtej shumicës aktuale parlamentare. Megjithatë është e papranueshme që ky projektligj të zvarritet dhe të mos arrijë të votohet tashmë për të nëntën herë me radhë, duke përfshi edhe shtatë herët e kaluara (lexim të parë) kur ky projektligj kishte dështuar që të sigurojë votat e nevojshme. Mirëpo, unë konsideroj që përgjegjësia kryesore për dështimin e miratimit të këtij projektligji bie mbi pozitën, përkatësisht LDK-në si subjekt më i madh parlamentar në kuadër të koalicionit aktual qeverisës. Në rastet kur ata (koalicioni qeverisës) i kanë ditur se nuk mund të kalojnë pa votat e opozitës këtë projektligj, të njëjtët nuk i kanë marrë parasysh rekomandimet e opozitës të cilat janë parashtruar edhe në formë të amendamenteve gjatë leximit të këtij projektligji nëpër komisionet parlamentare”, thotë ai.

Të mërkurën e javës së kaluar ishte paraparë të mbahej seancë e jashtëzakonshme për miratimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në lexim të dytë, por që në sallë ishin vetëm 31 deputetë, duke dështuar kështu për herë të dytë që të votohet. I njëjti projektligj kishte arritur të votohej në lexim të parë vetëm në herën e shtatë.

asnje-te-dhene-zyrtare-s’ka-shteti-per-demet-ekonomike-dhe-humbjen-e-vendeve-te-punes

Asnjë të dhënë zyrtare s’ka shteti për dëmet ekonomike dhe humbjen e vendeve të punës

Shteti pa të dhëna zyrtare për dëmet ekonomike dhe humbjen e vendeve të punës.

Shteti ende nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara në ekonomi nga pandemia COVID-19. Kësisoj, për rënien e punësimit në pandemi po vazhdon të heshtë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila është e thirrur për të nxjerrë rezultatet e papunësisë, por që deri tash drejtues të kësaj agjencie nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ekspertë të ekonominë kanë fajësuar ASK-në, e cila është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit që nuk ka prodhuar ende asnjë raport për numrin e humbur të vendeve të punës dhe numrin e bizneseve të falimentuara.

Sindikata e Pavarur të Sektorit Privat thotë se deri në fund të këtij viti numri i atyre që do të humbasin punën do të arrijë në 100 mijë.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati thotë se Qeveria dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës janë “të humbur në këtë situatë”.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati thotë për KosovaPress se mbetet e vështirë sigurimi i statistikave për papunësinë në pandemi për dëmet ekonomike.

“Ne si Komision (për Buxhet) dhe si deputetë vazhdimisht kemi kërkuar, edhe pse është bërë problematike për të kërkuar diçka prej ekzekutivit, që po shihet që s’ia ka idenë çka është duke bërë. Kot kërkon prej tyre, s’e po shihet qartë që nuk dinë çfarë po bëjnë, nuk dinë sesi po veprojnë. (ASK) është e humbur në këtë situatë”, thotë Murati.

E deputeti nga AAK, Gazemend Abrashi, deklaroi se përkundër mungesës së statistikave zyrtare, numri i atyre që kanë mbetur pa punë është rreth 40 mijë, shifër kjo sipas tij që është në rritje vazhdimisht.

Deputeti Abrashi shprehet se nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nga ASK-ja për papunësinë dhe dëmet në ekonomi.

“Nuk kam njohuri të sakta lidhur me Agjencinë e Statistikave dhe numrat, por është një shënim jozyrtar që janë diku rreth 35-40 mijë vende të punës që janë humbur. Trendi potencial i humbjes së vendeve të punës është edhe më i madh. Pikërisht për këtë arsye, fondamentale dhe jetike që Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike të votohet”, theksoi Abrashi.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se mungesa e të dhënave zyrtare për dëmet në ekonomi dhe punësim dëshmon se kanë mungesë të përgjegjësisë individuale dhe institucionale.

Ish-kryetari i OEK-ut, Gërxhaliu ka thënë se ASK-ja është institucion i politizuar.
“Çfarëdo kërkesë drejtuar në këtë agjenci vërtet has në vesh të shurdhër, sepse shumë më tepër llogaritë për pagë sesa për të punuar. Shumë më tepër llogaritet sesi të shijohet jeta në administratën publike sesa të kontribuohet. Definitivisht po vërehet që në Kosovë statistikat japin rezultate të pasakta e të dhëna të gabuara. Neve na duhen të dhëna të sakta, por për këtë duhet depolitizm të këtyre agjencive. Duhet inovacion, digjitalizim dhe mbi të gjitha kuadrat të cilët kanë dije dhe jo vetëm meritokraci partiake dhe politike. Sepse vërtet është i rrezikshëm ky fenomen i politizimit dhe vendosjes së njerëzve të politizuar dhe pa dije në pozita të ndryshme, në veçanti në administratën publike. Këtë e dëshmon fakti që sot Kosova është në pikën më kritike ekonomike, në pikën më kritike të stabilitet social, në pikën më kritike integruese dhe kjo është kostoja të cilën Kosova po e paguan me një ngufatje dhe me një varrosje të perspektivës dhe ardhmërisë”, tha Gërxhaliu.
Komuniteti i biznesit dhe Sindikata e Sektorit Privat kanë mbetur burimet e vetme për të dhënat e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia tash e nëntë muaj.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë për KosovaPress se deri në fund të vitit pritet të shuhen deri në 100 mijë vende të punës në sektorin privat për shkak të pandemisë.

Azemi ka fajësuar Qeverinë dhe Kuvendin që nuk po e mbështesin sektorin privat për të ruajtur vendet e punës.

“Në bazë të statistikave të cilat po shënojnë, deri në Vitin e Ri do të mbërrijë mbi 100 mijë punëtorë të larguar nga puna. Prej tyre punëtorë me kontrata dhe pa kontrata. Një institucion për shifra të sakta jemi ne, sepse në momentin e parë punëtorët e larguar nga puna adresën e parë e kanë sindikatën. Diku 30 përqind e të gjithë punëtorëve në sektorin privat do të humbasin vendin e punës. Fatkeqësisht pandemia ka prekur edhe vendet më të zhvilluara. […] Ka pasur mjete buxhetore, por nuk ka pasur vullnet nga parlamentarët dhe qeveritarët që të jenë më afër në momentet e caktuara tek bizneset”, thekson Azemi.

Në Trust, bazuar në të dhënat zyrtare, numri i kontributdhënësve është 6 mijë më pak në pandemi krahasuar me vitin paraprak.

keds-deklarohetper-mungesen-e-energjise-elektrike-ne-lagjen-“bregu-i-diellit”

KEDS deklarohetpër mungesën e energjisë elektrike në lagjen “Bregu i Diellit”

Që nga dje, banorët e lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë po ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike.

Banorët në atë pjesë janë duke u ankuar për shkak që ka më shumë se 12 orë që nuk kanë energji elektrike.

Ndërsa, KEDS-i, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se aktualisht e kanë të pamundur furnizimin me rrymë elektrike në këtë lagje për shkak që ka të bëjë me një defekt që është në përgjegjësi të KOSTT-it.

“KEDS njofton se në një pjesë të lagjes Bregu i Diellit të Prishtinës ka defekt që po paraqitet në një trafo të KOSTT’it. KEDS është duke e bërë maksimumin për ti furnizuar konsumatorët me energji elektrike edhe të asaj pjese. Por, ajo trafo e KOSTT’it po e bën të pamundur furnizimin. Ekipet tona kanë qendruar aty gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë aty duke e bërë maksimumin që të rikthehet energjia elektrike sa më shpejt të jetë e mundur. Por, pasi bëhet fjalë për ndërprerje që po shkaktohet në pjesën që është në përgjegjesi të KOSTT’it, aktualisht e kemi të pamundur furnizimin për atë pjesë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e KOSTT-it, Zana Bajramin, e cila tha se pengesat në furnizim me energji elektrike në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve .

Bajrami nuk tregoi se kur banorët e kësaj lagjeje do të furnizohen me energji elektrike dhe për këtë thotë se duhet të kontaktohet me KEDS-in.

i-kerkohet-qeverise-heqja-e-menjehershme-e-kufizimeve-te-levizjes-dhe-i-orarit-te-punes-per-bizneset

I kërkohet Qeverisë heqja e menjëhershme e kufizimeve të lëvizjes dhe i orarit të punës për bizneset

Kërkohet heqja e menjëhershme e kufizimeve të lëvizjes dhe i orarit të punës për bizneset.

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës gjatë një takimi që kanë pasur me kryeministrin Avdullah Hoti, kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të kufizimeve të lëvizjes dhe orarit të punës për bizneset, raporton Express.

Përveç këtyre kërkesave, OAK ka bërë kërkesë edhe që të ketë mbështetje direkte për bizneset dhe punëtorët.

“OAK kërkoi edhe njëherë nga Kryeministri heqjen e menjëhershme të orës policore dhe kufizimeve ose mbështetje direkte për bizneset dhe punëtorët për humbjet që po u shkakton ky vendim duke i’u ndaluar të drejtën e punës, kërkesë kjo e dalë nga takimet që OAK po ka në vazhdimësi me bizneset dhe ankesat që OAK po pranon në vazhdimësi nga bizneset”, thuhet në komunikatë.

Nga kjo odë, kanë kërkuar edhe që të përfshihen disa kërkesa të bizneseve në Ligjin për Rimëkëmbje.