zbulohen-detaje-shokuese-nga-‘rrembimi’-i-28-vjecarit-nga-malisheva

Zbulohen detaje shokuese nga ‘rrëmbimi’ i 28 vjeçarit nga Malisheva

28-vjeçari nga Malisheva u gjet i lidhur e i zhveshur në mal, a ishte rrëmbim apo inskenim?

Kishte dalë nga shtëpia e tij në fshatin Rud të Malishevës, mbrëmjen e së shtunës. I shqetësuar, familjarëve ju kishte thënë se po shkon te lumi, por që nga aty nuk u kthye më. Familjarët kërkuan ndihmën e qytetarëve për ta gjetur 28-vjeçarin Jetmir Rudi. Gjatë së dielës, Policia pati dyshime se Jetmiri është rrëmbyer.

Ai u gjet mbrëmjen e së dielës, i lidhur e i zhveshur, në mal në afërsi të shtëpisë. Por, krejt këtë ngjarje, po dyshohet se e ka inskenuar vetë. Gazeta Express të hënën ka qëndruar në Malishevë, nga ku sjell detaje të këtij rasti

Mëngjesin e së dielës, u përhap lajmi se Jetmir Rudin nga fshati Rud i Malishevës është zhdukur. Familja e tij e kishte lajmëruar rastin në Polici, si dhe kishte kërkuar nga qytetarët të lajmërojnë në një numër telefoni të cilin e kishin vënë në dispozicion.

Gjatë ditës, në Instagramin e Jetmirit u publikua një fotografi ku ai shihej i lidhur e i zhveshur në një mal. Madje, mbi fotografi ishte shkruar një mesazh që ngjallte dyshimet se atë e ka rrëmbyer dikush.

Pas kërkimeve që u bënë gjatë së dielës, në mbrëmje Jetmiri u gjet i lidhur e i zhveshur, njëjtë si në fotografinë që u publikua.

Ai u dërgua në Spitalin e Malishevës për trajtim mjekësor, pasi gjendja e tij emocionale nuk ishte e mirë.

Jetmiri kishte deklaruar se është goditur në kokë nga dikush.

Por, këto pretendime të tij i hedh poshtë raporti i mjekut, të cilin e ka siguruar Express, e ku thuhet se nuk vërehen shenja të dhunës në fytyrën apo trupin e Jetmirit.

Njëjtë ka deklaruar edhe mjeku kujdestar në Spitalin e Malishevës, Afrim Krasniqi.

“Parametrat i ka vitale. Ka qenë pak i shqetësuar, por nuk ka pasur shenja të dhunës”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Nga Malisheva, Jetmiri ishte dërguar në Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor, por edhe nga aty u lirua.

Prokurori Ali Uka, ka deklaruar për Express se dyshimet e deritanishme janë se rasti është i inskenuar dhe nuk ka të bëjë me rrëmbim.

“Ai është gjetur nga familjarët dhe është në familjen e tij. Rasti dyshohet se është inskenuar. Ai ka deklaruar se e kanë goditur në kokë dhe trup, por mjekët kanë konstatuar se nuk ka shenja të dhunës. Ai nuk ka qenë mirë psiqikisht, edhe më herët është trajtuar për probleme psikike”, ka deklaruar Uka.

Uka tha se edhe fotografia e postuar në Instagramin e Jetmirit ka qenë inskenim.

“Ka postuar fotografi në rrjete sociale, e ka postuar edhe një shirit me të cilin është gjetur i mbështjellë, por e ka larguar fotografinë”, ka deklaruar Uka.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka treguar për Express se si ka rrjedhur e tërë ngjarja.

“Rreth orës 09:00 të datës 22.11.2020 familjarët kanë raportuar rastin person i zhdukur ku sipas tyre viktima një ditë më parë, rreth orës 17:00 ishte larguar nga shtëpia dhe që atëherë nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rreth orës 14:00 policia në Malishevë ka marrë një informatë se dyshohet viktima mund të jetë rrëmbyer nga persona të panjohur”, ka deklaruar Graishta.

Ai ka thënë se pas ekzaminimeve të nevojshme, viktima është liruar për në shtëpi, ndërkohë që policia po vazhdon ta hetojë rastin.

“Të gjitha njësitet relevante i janë përgjigj rastit dhe kërkimi ka vazhduar deri në mbrëmje kur viktima është gjetur nga familjarët e tij afër fshatit. I njëjti është dërguar fillimisht në QKMF Malishevë për t’iu ofruar ndihma e parë e më pas në QKUK Prishtinë. Sipas mjekut viktima nuk ka lëndime të dukshme dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Pas ekzaminimeve të nevojshme viktima është liruar në shtëpi ndërkohë që policia po vazhdon me hetimin e rastit”, ka thënë Graishta për Express.

Graishta tha se lidhur me këtë rast janë intervistuar shtatë persona në cilësi të dëshmitarëve, si edhe vetë viktima.

Ai tha se deklaratat janë kundërthënëse, prandaj bazuar në këtë, mund të ketë rikualifikim të veprës penale.

“Aktualisht, rasti po trajtohet si person i zhdukur-i gjetur me dyshimet për rrëmbim. Deri më tani janë intervistuar 7 persona në cilësi të dëshmitarëve dhe vetë viktima. Dëshmitë dhe deklaratat në dispozicion janë mjaftë kundërthënëse andaj pas analizimit të provave, në bashkëpunim me prokurorin kompetent mund të kemi rikualifikim të veprës penale”, ka thënë Graishta.

Ndërkohë, burime të Gazetës Express kanë deklaruar se mesditën e së dielës (rreth orës 12:00) e kanë takuar Jetmirin në rrugë dhe e kanë përshëndetur.

Të njëjtat burime kanë thënë se në kohën kur e kanë takuar, Jetmiri mbante në duar një shirit (izolir), me të cilin më pas në fotografitë e publikuara është parë i lidhur.

Ndërkaq ai kishte deklaruar se ka qëndruar i lidhur e i zhveshur gjatë gjithë natës.

Express mëson se ky rast mund të rikualifikohet si inskenim, apo si deklarim i rrejshëm

shskuk-pezullon-tenderin-per-furnizimin-e-spitaleve-me-oksigjen-ne-kosove

ShSKUK pezullon tenderin për furnizimin e spitaleve me oksigjen në Kosovë

Është pezulluar tenderi për furnizim të spitaleve me oksigjen në Kosovë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka pezulluar sot tenderin për furnizim me oksigjen medicinal.

Tenderi thuhet se është pezulluar për shkak të një kërkese për rishqyrtim në Operatorin Ekonomik.
Shef i Sektorit të Prokurimit në SHSKUK, Selami Krasniqi, ka bërë të ditur se tenderi është anuluar sot.

Ai ka thënë se do ta hapin deri nesër prapë kërkesën për furnizim dhe do të hiqet pezullimi.

“Sot është pezulluar tenderi për furnizim me oksigjen. Kemi kërkesë, sot ose nesër do të hiqet pezullimi”, ka thënë ai.

Express ka raportuar ditë më parë, se institucionet publike shëndetësore në vend, kanë mungesë të theksuar të oksigjenit, i cili është shumë i nevojshëm për pacientët me Covid-19.

Drejtorë të spitaleve rajonale kanë treguar, se janë në rezervat e fundit të furnizimit, derisa kanë kërkuar të bëhet sa më shpejt zgjidhje për furnizim, për shkak të numrit të madh të pacientëve që kanë nevojë për oksigjen.

Pezullimi i tenderit për furnizim me oksigjen, është bërë edhe herëve tjera.

Për shkak se nuk kishte asnjë ofertues, në fillim të këtij muaji, ishte pezulluar tenderi për furnizim me oksigjen medicinal.

kosova-furnizohet-me-pajisje-mjekesore-per-menaxhimin-e-koronavirusit

Kosova furnizohet me pajisje mjekësore për menaxhimin e koronavirusit

Kosova është furnizuar me pajisje mjekësore për menaxhimin e koronaviusit.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka mbajtur takim me përfaqësuesit e UNOPS.

Me këtë rast, ministri ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me këtë zyrë lidhur me aktivitete që kanë të bëjnë me menaxhimin e Covid-19.

“Sot e nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme për të ndihmuar në aktivitetet e prokurimit ndërkombëtar. Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar këtë marrëveshje mes dy institucioneve pas aprovimit nga Banka Botërore. Ky është një projekt emergjent për menaxhimin e pandemisë”, tha ai.

Tutje Zemaj tha se marrëveshja arrinë shumën prej 8 milionë eurove.

“Është vendosur që prokurimi të bëhet përmes agjencive të prokurimit ndërkombëtar. Parashihet prokurimi i pajisjeve mjekësore për menaxhimin e pandemisë si pajisje për stafin shëndetësor. Përfitues do të jenë qendrat e mjekësisë familjare e spitalet e përgjithshme. Marrëveshja përfshin një vlerë prej 8 milionë euro pagesë që do të bëhet me avancë”, shtoi Zemaj.

Shefi i Zyrës së UNOPS, Brendan Krienan tha se do të vazhdojnë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.

“Është me rëndësi të jemi këtu e të tregoj për përkrahjen tonë e cila do të vazhdojë për qytetarët e Kosovës. Kjo është një çështje kritike ndaj pandemisë”, tha ai.

hoti:-kengetari-ismet-peja-ka-hyre-ne-historine-artistike-te-kosoves

Hoti: Këngëtari Ismet Peja ka hyrë në historinë artistike të Kosovës

Sot ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare këngëtari kosovar, Ismet Peja.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka bërë sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës të ikonës së muzikës së mirëfilltë shqipe, Ismet Peja.

“Këngëtari Ismet Peja ka hyrë në historinë artistike të Kosovës. Ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij, sot vërtet është ditë e dhimbshme për familjen e komunitetin artistik. Por ne do ta kujtojmë gjithmonë më këngët e tij”, tha Kryeministri Hoti.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovë, kryeministri Hoti shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik.

plagoset-nje-19-vjecar-ne-prizren,-dorasi-largohet-nga-vendi-i-ngjarjes

Plagoset një 19 vjeçar në Prizren, dorasi largohet nga vendi i ngjarjes

Një 19-vjeçar është plagosur sot në Prizren.

Një person i moshës 19 vjeçare është plagosur sot në Prizren, i dyshuari ndodhet në arrati mirëpo i njëjti është identifkuar nga policia.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
Ai tha se viktima është dërguar për trajtim mjëkësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 12:15 është lajmëru një viktimë në stacionin policor në Prizren, i njëjti është lënduar në këmbë nga arma e zjarrit dhe më pas ka pranuar edhe trajtim mjekësor. Sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetë”, tha Osmanollaj.

Ai tha se i dyshuari është në arrati, por policia e ka identifikuar dhe ndodhet në kërkim të tij.

aksident-ne-“koder-te-trimave”-ne-prishtine,-ka-te-lenduar

Aksident në “Kodër të Trimave” në Prishtinë, ka të lënduar

Një aksident ka ndodhur sot në “Kodër të Trimave në Prishtinë.

Dy persona janë lënduar pas një aksidenti në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë.

Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 14:30, kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.

punetoret-shendetesore-nuk-kane-marre-asnje-cent-shtese,-pavaresisht-qe-qeveria-ua-premtoi

Punëtorët shëndetësorë nuk kanë marrë asnjë cent shtesë, pavarësisht që Qeveria ua premtoi

Punëtorët shëndetësorë nuk kanë marrë asnjë cent shtesë.

Edhe pse ishte e paraparë që punëtorët shëndetësorë do të merrnin shtesa edhe për muajin shtator, këta të fundit përveç rrogës bazë, nuk kanë marrë asgjë shtesë.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës, mori vendim që t’u ndajë pagesa shtesë punëtorëve shëndetësorë, për shkak të kontributit që po japin gjatë pandemisë Covid-19.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, e ka konfirmuar se punëtorët shëndetësorë ende nuk i kanë marrë shtesat e premtuara.

Ai është shprehur se kanë informata se ato do t’i dalin në fund të këtij muaji.

“Ende nuk kanë dal shtesat. Informatat janë që ato do të dalin në këtë muaj, për muajt shtator dhe tetor”, ka thënë ai.

Syla ka thënë, se për muajin shtator e muajt tjerë në vijim, përveç pagës së tyre bazë, mjekët do të marrin edhe 250 euro shtesë, infermierët 150 euro, ndërsa stafi mbështetës 100 euro.

Ndërsa, edhe Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive, e ka pohuar se këta të fundit nuk kanë marrë ende pagesat shtesë.

Ai është shprehur i pakënaqur me shumën që i është ndarë infermierëve, duke thënë se kontributi i tyre gjatë kohës së pandemisë është shumë i madh, andaj edhe do të duhej të paguheshin më shumë.

“Jo nuk i kanë marrë ende shtesat. Po presim që në fund të muajit t’i marrim ato. Ne nuk jemi të kënaqur me shumën që i është ndarë infermierëve, këtë çështje disa herë e kemi ngritur. Pres reflektim nga institucionet”, ka thënë ai.

Express ka kërkuar informata edhe nga Ministria e Shëndetësisë, për vonesat në ekzekutimin e shtesave për punëtorët shëndetësorë.

Zyra për informim në këtë ministri, ka thënë se i kanë përcjell listat për pagesa.

“MSh i ka përcjellë listat për pagesat e shtesave të institucioneve vartëse javën e kaluar, dhe tash pritet vetëm ekzekutimi i tyre”, kanë thënë nga MSH.

Kujtojmë që më 29 tetor, Qeveria Hoti kishte marrë vendim që të paguaj shtesë të gjithë punëtorët shëndetësorë të cilët po ballafaqohen me pandeminë Covid-19.

Kryeministri Hoti kishte thënë se në fillim të viti të ardhshëm, do të shihen mundësitë për pagesat shtesë për kohën sa do të zgjasë pandemia Covid-19 në Kosovë.

ministri-i-shendetesise-prezanton-projektin-per-ndertimin-e-spitalit-te-podujeves

Ministri i Shëndetësisë prezanton projektin për ndërtimin e spitalit të Podujevës

Zemaj prezanton projektin për ndërtimin e spitalit të Podujevës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me U.D. Drejtorin e ShSKUK-së, Saudin Maliqin, deputetin Ekrem Hyseni dhe përgjegjësin e Spitalit të Podujevës, Afrim Tahiri, kanë prezantuar projektin e sapo finalizuar për ndërtim të spitalit të Podujevës.

Zemaj ka thënë se spitali do të ketë sipërfaqe rreth 7.700 m2.

Në këtë spital do të ofrohen shërbimet si: Diagnostika (Laboratorët me Radiologji), Ambulancat Specialistike, Shërbimi Emergjent, Mjekësia Interne, Kirurgji dhe Ortopedi, Gjinekologji dhe Neonatologji dhe Pediatri.

“Llapi meriton spital me kushte dhe shërbime për shumë arsye. Një ndër to, është të ofrohet shërbimi sekondar sa më afër qytetarëve dhe të mos ngarkohet QKUK-ja, sepse, jo vetëm Podujevës por edhe Prishtinës i mungon Spitali i Përgjithshëm”, ka thënë Zemaj.

keto-tri-lagje-te-prishtines-mbesin-sot-pa-rryme

Këto tri lagje të Prishtinës mbesin sot pa rrymë

Bregu i Diellit dhe këto dy lagje mbesin sot pa rrymë.

Lagjia Bregu i Diellit, një pjesë e Velanisë dhe Matit 1 sërish sot kanë mbetur pa energji elektrike.

Nga KOSTT kanë njoftuar se nga ora 13:00 është duke u punuar në realizimin e intervenimit të domosdoshëm në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2 për të eliminuar prishjen e paraqitur të shtunën saç thonë në kabllot 10 kV të transformatorit TR3.

“Lidhur me furnizimin me energji elektrike te Bregu i Diellit, një pjesë të Velanisë dhe Matit 1, ju lutem referojuni komunikatës së mëposhtme të lëshuar nga KOSTT. Njoftim për media-Punime intensive në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2. Njoftohen qytetarët që ekipet profesionale të mirëmbajtjes të KOSTT sh.a sot nga ora 13:00 kanë filluar realizimin e intervenimit të domosdoshëm në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2 për të eliminuar prishjen e paraqitur në ditën e Shtunë në kabllot 10 kV të transformatorit TR 3.

Aktualisht ekipet e KOSTT të mbështetur dhe nga ekipet e KEDS po punojnë intenzivisht për eliminimin e defektit në mënyrë që të stabilizohet sa më shpejtë furnizimi me energji elektrike për qytetarët e komunës së Prishtinës që janë prekur nga kjo prishje. Aktualisht furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike nga transformatori TR1 (27 MË) në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2 po vazhdon, derisa konsumatorët që furnizohen nga transformatori TR 3 apo 16 MË aktualisht janë pa furnizim me energji elektrike.

KOSTT sh.a kërkon mirëkuptim nga qytetarët për kufizimet në furnizim me energji elektrike deri në eliminimin e plotë të defektit për të siguruar furnizim të mëtutjeshëm të qëndrueshëm dhe stabil”, thuhet në komunikatën e KOSTT.

12-te-vdekur-dhe-645-raste-te-reja-me-koronavirus-ne-kosove

12 të vdekur dhe 645 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Janë konfirmuar 645 raste të reja me koronavirus në Kosovë.

IKSHPK njofton se nga 1.542 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, 645 kanë rezultuar pozitive, përcjell ORAinfo.

Ndërkaq sot janë shëruar edhe 353 pacientë, kurse 12 kanë ndëruar jetë.

Postimi i plotë i IKSHPK-së:

1.542 TESTIME, 353 TË SHËRUAR DHE 645 RASTE ME COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.542 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 645 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 2 raste (80, 72 vjeç), Pejë 2 raste (88, 75 vjeç), Deçan 1 rast (85 vjeç), Ferizaj 1 rast (76 vjeç), Gjakovë 1 rast (68 vjeç), Mitrovicë 1 rast (53 vjeç), Prishtinë 1 rast (86 vjeç), Prizren 1 rast (82 vjeç), Rahovec 1 rast (80 vjeç), Shtime 1 rast (71 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 34.940 raste nga 132.728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 926 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 353 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 21.396 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.618.

Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 248 raste, Prizren 53 raste, Mitrovicë 42 raste, Gjakovë 33 raste, Podujevë 33 raste, Gjilan 28 raste, Ferizaj 24 raste, Lipjan 20 raste, Fushë-Kosovë 19 raste, Skenderaj 15 raste, Suharekë 15 raste, Viti 13 raste, Deçan 11 raste, Drenas 11 raste, Malishevë 11 raste, Obiliq 11 raste, Rahovec 10 raste, Vushtrri 10 raste, Kamenicë 9 raste, Pejë 8 raste, Dragash 7 raste, Klinë 4 raste, Shtime 3 raste, Istog 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Graçanicë, Hani i Elezit, Junik, Kaçanik dhe Zubin-Potok.

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!

Respektoni distancën!